Sigurime motorike
SIGURIME TË DETYRUESHME – PËRGJEGJËSIA NDAJ PALËVE TË TRETA

Certifikata e sigurimit te mjetit automobilistik, mjetit lundrues, mjetit fluturues me targa shqiptare - TPL
Çdo mjet motorik me targa të Shqipërisë që qarkullon brenda territorit të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jetë i pajisur me certifikatën e sigurimit të detyrueshëm TPL. Ky sigurim mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit motorik ndaj dëmeve që mund t’u shkaktohen palëve të treta për shpenzimet financiare të dëmeve materiale, shëndetësore dhe pasurore.
📅Periudha e sigurimit: 1 vit
Certifikata e Sigurimit te Automjeteve me targa të huaja - Kufitar
Ky sigurim është i detyrueshëm për mjetet motorike me targa të huaja që qarkullojnë brenda territorit të Shqipërisë dhe Kosovës. Ky sigurim mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit motorik ndaj dëmeve që mund t’u shkaktohen palëve të treta për shpenzimet financiare të dëmeve materiale, shëndetësore dhe pasurore.
📅 Periudha e sigurimit:
15 ditë, 1 muaj, 45 ditë, 6 muaj, 1 vit
Certifikata e Sigurimit te Automjeteve shqiptare jashte vendit- Karton Jeshil
Ky sigurim është i detyrueshëm për mjetet motorike me targa të Shqipërisë që qarkullojnë jashtë Shqipërisë. Ky sigurim mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit motorik ndaj dëmeve që mund të shkaktohen palëve të treta për shpenzimet financiare të dëmeve materiale, shëndetësore dhe pasurore.
📅 Periudha e sigurimit:
15 ditë, 1 muaj, 3 muaj, 6 muaj, 1 vit
SIGURIME VULLNETARE – MBROJTJE PËR PASURINË TUAJ

Sigurimi KASKO (i plotë)
Kjo policë sigurimi mbulon sigurimin e vetë mjetit motorik (trupit të mjetit) nga të gjitha dëmtimet materiale që mund të vijnë si rezultat i një ngjarjeje aksidentale, për rreziqet e dëmtimeve aksidentale: thyerja e xhamave, zjarri–rrufe–eksplozioni, katastrofat natyrore, vjedhja e mjetit, dëmtimet nga aktet keqdashëse, etj.
Kjo policë sigurimi vlen edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Sigurimi MINI-KASKO
Kjo policë sigurimi mbulon sigurimin e mjetit motorik nga dëmtimet aksidentale që mund të ndodhin nga përplasja me një mjet tjetër motorik, pavarësisht nëse je fajtor apo jo në aksident.
Sigurimi KASKO për mjete lundruese dhe fluturuese (HULL)
Kjo policë sigurimi mbulon sigurimin e vetë trupit të mjetit lundrues apo fluturues nga të gjitha dëmtimet materiale që mund të vijnë si rezultat i një ngjarjeje aksidentale, për rreziqet e dëmtimeve aksidentale: thyerja e xhamave, zjarri–rrufe–eksplozioni, katastrofat natyrore, vjedhja e mjetit, dëmtimet nga aktet keqdashëse, etj.
Sigurimet e pronës
SIGURIMET E DETYRUESHME NDAJ PËRGJEGJËSISË SË PALËVE TË TRETA
Pronë / Makineri & Pajisje / Inventar Ekonomik

Sigurimi i pronës si kolateral me përfitues bankën
Në rast se keni marrë një kredi bankare kundrejt lënies së garancisë si kolateral Bankës, sigurimi i objektit të biznesit është i detyrueshëm nga Banka.
Kjo policë sigurimi mbulon financiarisht Bankën për dëmet që ndodhin në objekt, për vlerën e kolateralit, pa përfshirë makineritë, pajisjet dhe inventarin ekonomik, nga rreziqet bazë: zjarr + tërmet.

Sigurimi i Përgjegjësisë Civile Publike
Ky sigurim mbulon përgjegjësinë tuaj ndaj dëmeve financiare dhe pasojave ligjore në rastet kur një person ngre pretendime për dëme të shkaktuara gjatë ndërveprimeve të përditshme në banesën tuaj.
Polica e Përgjegjësisë Civile Publike mbulon humbjet dhe dëmet që pësojnë palët e treta gjatë gabimeve, defekteve, neglizhencave, mosveprimit profesional, mosmirëmbajtjes së veprimtarisë, etj.
Me këtë policë sigurimi shmangni humbjet e mëdha financiare për dëmet që mund t’u ndodhin palëve të treta.
Përgjegjësia profesionale
Polica e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon financiarisht të gjitha humbjet apo dëmet që vijnë nga neglizhenca, harresa, gabimet profesionale të shkaktuara palëve të treta gjatë ushtrimit të profesionit.
Përgjegjësia e ndërtuesit
Kjo policë sigurimi është e detyrueshme për çdo ndërtues.
Kjo policë sigurimi mbulon financiarisht të gjitha dëmtimet materiale apo fizike që vijnë si rezultat i veprimtarisë projektuese, zhvilluese apo ndërtuese.
📅 Periudha e sigurimit: 10-vjet.
Përgjegjësia për tregtarët e karburanteve
Kjo policë sigurimi është e detyrueshme për çdo tregtar nafte, benzine apo gazi.
Kjo policë sigurimi mbulon financiarisht të gjitha dëmtimet materiale apo fizike që vijnë si rezultat i veprimtarisë së tyre.
Sigurimi i përgjegjësia për produktin
Polica e sigurimit të përgjegjësisë së produktit mbron financiarisht bizneset që prodhojnë produktet nga dëmet financiare që vijnë nëse produkti juaj nuk shkon si duhet dhe i shkakton dëmtime apo lëndime palëve të treta.
Sigurimi i përgjegjësisë së aktivitetit me enët nën presion
Të gjithë operatorët ekonomikë që administrojnë pajisje apo instalime në funksion të veprimtarisë duhet të pajisen me policën e sigurimit të përgjegjësisë për dëmet që mund të shkaktohen ndaj mjedisit, jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve, pra palëve të treta.
Kjo policë sigurimi mbron financiarisht të siguruarin nga këto dëme.
Sigurimi P&I (Përgjegjësia ndaj palëve të treta në transportin detar)
Ky sigurim mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit lundrues ndaj pretendimeve të palëve të treta, kur përcaktohet ligjërisht përgjegjës.
Sigurimi i përgjegjësisë së transportuesit (CMR)
Kjo policë sigurimi mbulon të siguruarin për përgjegjësinë ligjore si transportues nga rreziqet e humbjeve, zjarrit, shkatërrimeve dhe dëmtimeve aksidentale të mallrave që vijnë si rezultat i veprimeve apo mosveprimeve të transportuesit.
Kjo policë sigurimi është ndërtuar sipas Konventës (CMR) të Gjenevës, vitit 1956, dhe protokollit të Konventës CMR të vitit 1978, i përshtatur në legjislacionin shqiptar të vitit 2006.
Sigurimi i Përgjegjësisë së Portëve dhe Aeroporteve
Ky sigurim mbulon përgjegjësinë publike ndaj pretendimeve të palëve të treta, kur përcaktohet ligjërisht përgjegjës për dëmtimet që mund të shkaktojnë gjatë ushtrimit të veprimtarisë.
Sigurimi i përgjegjësisë së kontrollit të trafikut ajror
Ky sigurim mbulon përgjegjësinë publike gjatë ushtrimit të detyrës së kontrollit ajror, kur përcaktohet ligjërisht përgjegjës për dëmtimet që mund t’u shkaktohen palëve të treta.
SIGURIMET VULLNETARE PËR SIGURIMIN E PASURISË

Sigurimi i pronës, makinerive & inventarit ekonomik
Sigurimi i pronës dhe investimeve në të mund t’ju ndihmojë të analizoni ekspozimet tuaja, të identifikoni dhe t’i jepni përparësi mundësive për uljen e kostos nëpërmjet sigurimit, duke transferuar rrezikun.
Polica e sigurimit të pronës mbulon financiarisht të siguruarin nga të gjitha dëmet e zjarrit, rrufësë, eksplozionit, tërmetit dhe rreziqeve shtesë që vijnë në objektin e siguruar, së bashku me investimin teknologjik dhe inventarin ekonomik.
Rreziqet tjera shtesë janë: përmbytja, stuhia, rrëshqitja e tokës, breshëri, bora, thyerja e xhamave, vjedhja, aktet keqdashëse, etj.
Paketa e biznesit SME
Kontrata e sigurimit SME ofron një mbulim kompleks për bizneset, ku përfshihen:
- Sigurimi i ndërtesës, pajisjeve dhe inventarit ekonomik nga rreziqet e zjarrit, tërmetit, përmbytjeve dhe rreziqet shtesë të sigurimit të pronës.
- Mbulimi me sigurim për përgjegjësinë ndaj palëve të treta gjatë ushtrimit të aktivitetit, për dëmet trupore apo materiale të shkaktuara palëve të treta.
- Sigurimi nga aksidentet për administratorin e biznesit, me qëllim vazhdimin e biznesit në rast vdekjeje, paaftësie të përkohshme apo të përhershme të administratorit.
Sigurimi i ndërprerjes së biznesit
Sigurimi i ndërprerjes së biznesit mbulon shpenzimet si pasojë e ndërprerjes së aktivitetit të biznesit nga dëmtimet e zjarrit apo rreziqeve shtesë, duke garantuar fitimin neto si dhe kostot fikse.
Sigurimi nga rreziqet në ndërtim (CAR)
Kjo policë sigurimi mbulon dëmet financiare nga rreziqet që vijnë gjatë zbatimit të projekteve ndërtuese të çdo sektori ekonomik, si banesa, rezidenca, ndërtesa institucionesh, fabrika, uzina, investime energjitike, rrugë, hekurudha, aeroporte, porte, ura, diga, tunele, sistemet e ujitjes, drenažimit, kanalizime, etj.
Rreziqet kryesore të këtij mbulimi janë reshjet, vershimi, përmbytja, rrëshqitja e tokës, dëmet e materialeve të ndërtimit, makinerive e pajisjeve, tubacionet nëntokësore, kabllove të instalimeve, etj.
Kjo policë sigurimi mbulon me sigurim dhe përgjegjësinë ndaj palëve të treta gjatë ushtrimit të aktivitetit, për dëmet trupore apo materiale të shkaktuara palëve të treta.
Sigurimi i makinerive dhe pajisjeve (MI)
Kjo policë sigurimi mbulon dëmet financiare që vijnë si rezultat i dëmtimit të makinerive dhe pajisjeve industriale.
Përveç rreziqeve të jashtme natyrore, si zjarr, tërmet, përmbytje, vjedhje, etj., mbulohen edhe dëmet nga projektimi i gabuar, gabimet profesionale, shkaqe elektrike, ndërprerja e ujit, shpërthimi fizik apo stuhi, ngrica, akull.
Sigurimi gjatë montimit (EAR)
Kjo policë sigurimi mbulon dëmet financiare që vijnë gjatë procesit të montimit të makinerive dhe pajisjeve industriale.
Përveç rreziqeve të jashtme natyrore, si zjarr, tërmet, përmbytje, mbulohen edhe dëmet që vijnë gjatë instalimit të makinerive, pajisjeve, impianteve dhe strukturave të ndryshme.
Përveç sa më sipër, mbulon edhe përgjegjësinë për dëmtimet trupore apo pronësore të palëve të treta.
Sigurimi i mallrave në transport
Ky sigurim mbulon rreziqet ndaj të cilave janë të ekspozuara mallrat gjatë transportit, si aksidentet e mjeteve të transportit, zjarr, tërmet, rrufe, shpërthimet, vullkani, etj.
Sigurimi i parave në kasafortë
Ky sigurim mbulon humbjen ose dëmin e mjeteve monetare të siguruara në kasafortë/kasë, ndaj vjedhjes ose grabitjes përmes hyrjes apo daljes me dhunë ose forcërisht nga objekti i siguruar, duke ofruar mbrojtje për çdo bankë, shoqëri këmbimi valutor, apo institucion tjetër financiar që ruan ose administron mjete monetare.
Sigurimi i parave gjatë transportit
Polica e Sigurimit të Parave në Transport mbulon financiarisht dëmet që vijnë nga rreziqet e vjedhjes apo grabitjes gjatë transportit të parave për bankat, shoqëritë e këmbimit valutor, apo çdo institucion financiar që kryen transport të mjeteve monetare.
Sigurimi kompleks i bankave (BBB)
Polica e Sigurimit Kompleks i ofrohet çdo banke apo institucioni financiar si një mbrojtje domethënëse ndaj këtyre rreziqeve, duke ndihmuar në vazhdimësinë e veprimtarisë suaj financiare.
Rreziqet kryesore janë:
- Nga pandershmëria e punonjësve, në rastet e mashtrimit financiar, përvetësimit të parave, vjedhjes, dëmtimit, shkatërrimit, keqpërdorimit, falsifikimeve të çeqeve, transfertave, dokumentave financiare, vjedhjes së informacionit konfidencial.
- Nga transporti, në rastet e humbjes apo dëmtimit.
- Në zyrat, në rastet e vjedhjes apo dëmtimeve keqdashëse.
- Në rastet e parave të falsifikuara.
Sigurimet bujqësore
Sigurimi i kulturave bujqësore siguron të gjitha llojet e kulturave ndaj breshërit dhe rreziqeve natyrore, si: stuhia, përmbytja, ngrica apo shtrëngata.
Sigurimet blektorale
Sigurimi i blegtorisë është një kontratë sigurimi, me anë të së cilës sigurohet blegtoria ndaj sëmundjeve dhe aksidenteve.
Sigurimet e shëndetit, aksidenteve dhe jetës
SIGURIMET E DETYRUESHME PËR SHENDETIN DHE JETËN

Sigurimi i Shëndetit në Udhëtim jashtë vendit
Në rastet kur udhëtoni jashtë vendit, duhet të pajiseni me sigurimin e shëndetit në udhëtim.
Kjo policë sigurimi mbulon sëmundje ose aksidente që mund të ndodhin gjatë periudhës së udhëtimit jashtë vendit, në mënyrë rastësore dhe të paparashikueshme.
Kjo policë sigurimi mbulon financiarisht shpenzimet mjekësore, deri te riatdhesimi në rastet urgjente nga jashtë vendit.
Kjo policë sigurimi përdoret edhe për sigurimin e nxënësve dhe studentëve që studiojnë jashtë vendit.
Sigurimi i Jetës për Hua (Debitori)
Ky sigurim ofron mbulim në rast të humbjes së jetës së personit të siguruar për shkaqe natyrore apo aksidentale. Ky sigurim është një garanci financiare si për kredidhënësin, ashtu edhe për kredimarrësin (personin e siguruar), duke çliruar familjen e personit kredimarrës nga pagesa e kredisë së mbetur.
SIGURIMET VULLNETARE PËR SIGURIMIN E SHËNDETIT DHE AKSIDENTEVE

Sigurimi i Shëndetit
Ky produkt sigurimi është krijuar për t’ju përshtatur çdo kategorie që kërkon një kujdes shëndetësor më cilësor, në vend apo jashtë vendit.
Ky produkt ofron mbulimin me sigurim të kujdesit parandalues të sëmundjeve, si dhe trajtimin mjekësor të tyre.
Sigurimi nga Aksidentet Personale
Polica e sigurimit nga aksidentet personale mbulon të gjitha dëmtimet trupore, për të cilat nevojitet ndihmë mjekësore, që vijnë si rezultat i një aksidenti që mund të pësojmë në aktivitetin tonë të përditshëm në shtëpi, punë, shkollë apo kudo që ndodhemi.
SIGURIMET VULLNETARE PËR SIGURIMIN E JETËS
Sigurimi i Jetës me Shëndet
Ky sigurim, përveç sigurimit të jetës, mbulon edhe shpenzimet mjekësore për probleme shëndetësore të paparashikuara që mund t’i ndodhin personit të siguruar.
Nëpërmjet këtij sigurimi ofrohet mundësia për parandalimin dhe kurimin e problemeve shëndetësore, por gjithashtu edhe kompensimi i të ardhurave për përfituesin në rast fatkeqësie.
Sigurimi Jetë dhe Aksidente
Ky sigurim ofron mbrojtje financiare për të siguruarin në rast të humbjes së jetës si pasojë e ndodhjes së ngjarjeve aksidentale, si edhe mbrojtje për paaftësi të përhershme apo të përkohshme nga këto ngjarje.
Sigurimi i Jetës me Kursim/Përfitim
Ky sigurim është një mënyrë kursimi, i cili mbulon pagesën e një shume monetare në fund të një afati të caktuar ose në rast fatkeqësie përgjatë periudhës së sigurimit.
Sigurimi i Pensionit Vullnetar Privat
Ky sigurim me kontribut vetiak i mundëson çdo individi të sigurojë një pension shtesë krahas atij të shtetit.
Përfitimi nga ky sigurim fillon 5 vjet para se të mbushësh moshën për pension, kur del në pension invaliditeti, kur sëmuresh ose aksidentohesh gjatë kohës së sigurimit, si dhe në rastet e humbjes së jetës; ky përfitim mbetet i trashëgimtarëve në formën e pensionit familjar.